Fjalë Kyçe

Mustafa: As me Thaçin as me partnerët e koalicionit s’diskutuam për postin e presidentit

Mustafa: As me Thaçin as me partnerët e koalicionit s’diskutuam për postin e presidentit

Pak pasi që u votua qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka shkuar në selinë e partisë së tij.

“Po i uroj zgjedhjen dhe sukses. Mendoj se është një e arritur e madhe, sepse Kosova sot u bë me qeveri. Evituam problemin e qeverisë në detyrë ku kishim probleme me qëndrueshmërinë institucionale të Kosovës. Kjo qeveri do të implementojë të gjitha premtimet që kryeministri [Avdullah] Hoti prezantoi para deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës me përgjegjësinë më të madhe”.

Ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën është shprehur i bindur se kjo qeveri do ta përfundojë mandatin e saj, por nuk e ka krahasuar me jetëgjatësinë e qeverisë paraprake që e formuan me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk do ta kisha bërë krahasimin, por jam shumë i bindur që do të ketë qëndrueshmëri deri në fund të mandatit të deputetëve të Kuvendit. Besoj shumë në vizionin e kryeministrit [Avdullah] Hoti dhe besoj shumë edhe në përbërjen e deputetëve të Kuvendit dhe të kësaj qeverie që sot u zgjodh”.

A do të jetë Avdullah Hoti kryeministër më i mirë sesa Albin Kurti, sipas Isa Mustafës?

“Tani nuk dëshiroj të bëj krahasime, por Avdullah Hoti do të jetë kryeministër i përgjegjshëm, bashkëpunues dhe njeri që njeh procedurat, jetën qeveritare dhe ekonominë – që është me rëndësi themelore. Po ashtu do të jetë njeri që do të bashkëpunojë me të gjitha subjektet parlamentare në procesin e dialogut në mënyrë që të përfundojë me njohje reciproke”.

I pari i LDK-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese me verdiktin e saj e ka përcaktuar se kryeministri e përfaqëson vendin në procesin e dialogut, në bashkërenditje me presidentin e vendit.

“Dialogun e shoh si përgjegjësi të Avdullah Hotit dhe qeverisë së Kosovës, por një përgjegjësi që do të zgjerohet edhe më tutje me përfshirjen e të gjitha subjekteve parlamentare në mënyrë që marrëveshja të jetë e pranueshme për të gjithë deputetët dhe qytetarët e Kosovës”.

Ai ka garantuar se nuk është bërë asnjë marrëveshje me presidentin Hashim Thaçi që atij t’i vazhdohet mandati.

“Ju siguroj se nuk ka pasë as me presidentin Hashim Thaçin dhe as me partnerët e koalicionit, sepse s’kemi diskutuar fare për çështjen e presidentit. Ne jemi të vetëdijshëm që do të sfidohemi në fund të vitit ose në shkurt të vitit të ardhshëm. Kur të vijë kjo sfidë duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjen. Mesa kam vërejtur Hashim Thaçi nuk është i interesuar që të vazhdojë edhe më tutje të jetë president, sipas deklaratave të tij publike. Ju siguroj se në asnjë rast nuk është diskutuar për atë pozitë”.

Kryetari i LDK-së ka thënë se Lumir Abdixhiku, i cili është i vetmi nga ministrat e LDK-së të qeverisë paraprake që nuk është pjesë e Qeverisë Hoti, ka kërkuar vet që të tërhiqet nga posti i Ministrit të Infrastrukturës.

“Ne kemi diskutuar mbrëmë. Abdixhiku e ka njoftuar Hotin që nuk është i interesuar që edhe më tutje të vazhdojë të jetë në qeveri. E kemi pranuar arsyetimin e tij dhe e kemi liruar, por natyrisht se do të ketë hapësira të tjera që t’i bëjë punët që ai vlerëson se mund t’i bëjë më së miri në LDK”.