Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një konferencë të mbajtur sot për media në lidhje me shtyrjen e afateve të implementit të projekteve përfituese të granteve për vitin 2019, është deklaruar edhe rreth mocionit të mosbesimit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa për këtë mocion tha se do të vazhdojë në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç është marrë vendim nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Mocioni do të vazhdojë në Kuvendin e Kosovës ky është vendim i kryesisë së LDK’së”, tha ai, transmeton Gazeta Metro.
Kujtojmë se ky mocion i iniciuar nga LDK, do të duhet të vihet në votim para deputetëve deri të mërkurën, kur edhe është afati i fundit.
Mirëpo, paraprakisht, Kuvendi do t’i drejtohet me një shkresë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për të kërkuar rekomandim nëse ekzistojnë kushtet për mbajtjen e seancës.
Sipas pikës 3 të nenit 100 të Kushtetutës, mocioni i mosbesimit vihet në rend dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.