Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka bllokuar KQZ-në, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin.
Mustafa, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, e ka ftuar presidentin Thaçi që ta zhbllokojë KQZ-në, për siç ka thënë se vazhdimi i kësaj gjendje do të thellojë pasojat për subjektet politike, vendin dhe rendin kushtetues, shkruan Gazeta Alo.
Sipas tij, për institucionin e presidentit të vendit rëndësi themelore duhet të ketë përmbushja e bazës Kushtetuese e jo referimi ndaj kënaqësive e pakënaqësive.
Postimi i tij i plotë:
Presidenti i Kosovës e ka bllokuar KQZ-në në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Ligjin.
Emërimi i anëtarëve të KQZ-së, që u takojnë partive, përkatësisht koalicioneve që kanë hyrë në zgjedhjet e fundit nacionale, duhet të bëhet në harmoni me Kushtetutën, Ligjin dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me definimin e grupeve parlamentare.
Është e qartë se dikush do të mbetet i pakënaqur, ashtu siç kishte deklaruar Presidenti para disa ditesh, por për institucionin e Presidentit me rëndësi themelore duhet të ketë përmbushja e bazës Kushtetuese e jo referimi ndaj kënaqësive e pakënaqësive.
Ftoj presidentin në emer të LDK-së ta zhbllokojë KQZ-në, sepse vazhdimi i kësaj gjendjeje do të thellojë pasojat për subjektet politike, vendin dhe për rendin kushtetues. IM/Gazeta Alo/