Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjithë zyrtarëve të MBPZhR-së të marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve për bujqit që aplikojnë për grante dhe subvencione nga kjo ministri për vitin 2020.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se këtë vendim e ka marrë për të ndaluar konfliktin e interesit dhe mundësitë e keqpërdorimeve si dhe për të rritur transparencën, mbrojtjen e të drejtave të bujqve dhe trajtimin e barabartë të tyre.
“Për të ndaluar konfliktin e interesit dhe mundësitë e keqpërdorimeve si dhe për të rritur transparencën, mbrojtjen e të drejtave të bujqve dhe trajtimin e barabartë të tyre, kam nxjerrë sot vendim që u ndalon të gjithë zyrtarëve të MBPZhR-së në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve, apo pjesëve të aplikacioneve, për bujqit që aplikojnë për grante dhe subvencione nga kjo ministri për vitin 2020”, thuhet në njoftimin e tij.
Ai po ashtu tha se të gjithë zyrtarët e MBPZhR-së, tash e tutje, janë të obliguar që të nënshkruajnë deklaratë nën betim për evitim të konfliktit të interesit, ku thotë se edhe ai e ka nënshkruar i pari deklaratën.