Shefki Zeqiri, zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, është pezulluar nga puna për shkak të aktakuzës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Këtë për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar, Sekretarja e Përgjithshme e kësaj ministre, Thëllënza Balaj.
Pezullimi i Zeqirit vjen pas raportimi të djeshëm të Gazetës Insajderi.
Shefki Zeqiri, është i akuzuar për ‘keqpërdorim të pozitës zyrtare’ në Ministrin e Bujqësisë së bashku me ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Ekrem Gjogjaj, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindor Krasniqi dhe Albana Zeqiri.
Zeqiri, fillimisht i kishte shpëtuar fshesës së suspendimeve të ministrit të ri, Besian Mustafa, pas lidhjeve të afërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), parti nga e cila vjen edhe ministri.
I pezulluari ishte parë prezent në hapjen e fushatës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës, së bashku me ministrin, Besian Mustafa.
Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa kishte thënë në dikasterin të cilin ai e udhëheq do të zbatohet ligji në përpikëri, kur bëhet fjalë për suspendime ndaj zyrtarëve që kanë aktakuza në këtë ministri.
“Sa i përket MBPZhR-se, ligji do te zbatohet me perpikeri, për te gjithë. Pas suspendimit te sekretarit te përgjithshëm te Ministrisë dhe kryeshefit ekzekutiv te AZhB-se, me 27 shkurt kam emëruar ushtrues detyre ne këto dy pozita te cilët do te vazhdojnë, konform hierarkise, me suspendimin e te gjithë zyrtareve ndaj te cilëve janë ngritur aktakuza”, ka thënë Mustafa.
Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR.