Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë rezultatin e ish-nënkryetares së kësaj partie, Vjosa Osmani, në zgjedhjet e 14 shkurtit në listën e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje.
Osmani mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë personi më i votuar në këto zgjedhje. Lista e saj dhe Vetëvendosja, që garuan bashkë, siguruan 58 ulëse në Kuvend. Në anën tjetër, LDK-ja e Mustafës doli e treta me më pak se 13 për qind apo 15 ulëse në Kuvend.
Pas një takimi me kryetarë të degëve të partisë, para Kuvendit zgjedhor të 14 marsit për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, Mustafa ka thënë se nuk i komenton fitoret individuale.
“Nuk komentoj fitoret individuale. Është çështje e qytetarëve të cilët kanë votuar dhe e respektoj votën për çdo kënd, jo vetëm për Vjosën. I pranojmë rezultatet”, ka thënë ai.