Fjalë Kyçe

Mustafa tregon cilat janë vërejtjet e tij për Kurtin

Mustafa tregon cilat janë vërejtjet e tij për Kurtin

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se letra e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, në ditën e fundit të afatit për zyrtarizime të koalicioneve parazgjedhore, nuk ka pasur qëllim të mirë.

Sipas tij, Kurti me propozimin që LDK-së t’i takonte prijësi i listës e VV-së përfaqësuesi i koalicionit dhe kush merr më shumë vota bëhej kryeministër, ka qenë nxitje për garë të brendshme.

“Ne nuk futemi në zgjedhje me bërë garë të brendshme në mes të LDK dhe Vetëvendosjes. Si ide është jo funksionale, totalisht jo funksionale. Nuk mund t’u themi votuesve të LDK-së mos votoni për Albin Kurtin e atyre të Vetëvendosjes mos e votoni Vjosa Osmanin. Propozimi, letra e hapur që e kanë dërguar nuk ka pasur qëllim të mirë, ajo ka treguar se puna e koalicionit ka përfunduar dhe ne po shkojmë në zgjedhje vetë. Si propozim i tillë edhe ata, edhe ne e kemi ditur që nuk funksionon”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se nëse LDK-ja nuk del e para në zgjedhje, nuk do të kërkojë nga askush postin e kryeministrit.

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se e ka pasur gjithmonë në ndërdije se në një koalicion parazgjedhor mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes, kandidati për kryeministër do të duhej t’i takonte LDK-së.

Ai ka thënë se LDK-ja e ka merituar të ketë kandidatin në rast të koalicionit parazgjedhor për shkak se ka qenë grupi më i madh parlamentar dhe se qeveris me numrin më të madh të komunave.

“Nuk kemi pasur dallime të mëdha sa i përket programit, madhësisë së qeverisë, numrin të ministrave, zv kryeministrave. Problemi ka lindur në fund lidhur me kandidaturën e kryeministrit. Në ndërdijen time ka qenë gjithmonë se ne duhet ta kemi sepse kemi qenë grupi ma i madh parlamentar, kemi qeverisur numrin më të madh të komunave. Ajo që z. Kurti të jetë kandidat për kryeministër mund të jetë disponim dhe kërkesë e Vetëvendosjes dhe është krejtësisht legjitime mirëpo në asnjë moment nuk do të hyja në koalicion parazgjedhor ku di të rreshtohesha i dyti”, ka thënë Mustafa në Rubikon.

“Nuk kam menduar as që është çështje që duhet të bëhet e qartë. Sepse nëse një parti që është e para bën marrëveshje me një parti që është e dyta me numrin e deputetëve, s’ka nevojë të hapen këto çështje. Nëse është për interes të vendit, e bëjmë, por duhet bërë në bazë të fuqisë politike”, ka thënë ai më tej.