Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje që të respektohet kalendari për zëvendësimin e orëve të humbura, pasi sipas saj kjo është në interesin e nxënësve.
Sipas saj kushtet për zëvendësimin e orëve janë të mira duke marrë parasysh motin e mirë.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, Nagavci ka thënë se fëmijët nuk janë të stërngarkuar dhe se orari për zëvendësim parasheh që mësimi të mbahet vetëm dy të shtuna, për një muaj vetëm në gjysmëvjetorin e parë.
“Është kalendari që duhet të respektohet, është interesi më i mirë i fëmijëve. Humbjet kanë qenë të shumta kështu që orët duhet të zëvendësohen. Jemi në përparësi sepse edhe moti është i mirë kohëzgjatja e pushimit për fëmijët ka qenë tepër i madh kështu që nuk është që kemi fëmijët që janë të stërngarkuar apo të lodhur, e për më tepër janë dy të shtuna në muaj për të cilat është planifikuar zëvendësimi dhe ato vetëm në gjysëmvjetorin e parë”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj pjesëmarrja e nxënësve në mësim të shtunave ka qenë e madhe.
“Nëse e shohim në vazhdimësi pjesëmarrja në mësim nga ana e nxënësve ka qenë e madhe, në secilën të shtunë. Unë pres që nuk do të ketë mungesa në shkollë sepse kjo behët për interesin më të mirë të fëmijëve”, është shprehur ajo.
Nagavci ka theksuar se nga ajo që kanë parë inspektorët, në zëvendësimin e orëve ka pasur dallime në pjesëmarrje të nxënësve nga shkolla në shkollë dhe nga komuna në komunë.
Ajo ka deklaruar se të shtunën e fundit pjesëmarrja e nxënësve ka qenë e madhe dhe se shpreson që kjo të rritet edhe ditët në vijim.
“Ka pasur në vazhdimësi vizita nga inspektorët të cilët e kanë përcjell situatën, ka pasur dallime nga shkolla në shkollë edhe nga komuna në komunë, por e mira është që në të shtunën e fundit pjesëmarrja ka qenë shumë më e madhe se sa në ditën e parë dhe unë pres që në ditën vijuese të kemi një pjesëmarrje të plotë të fëmijëve”, ka theksuar Nagavci.