Fjalë Kyçe

Nagavci tregon se si u rritet paga mësimdhënësve që kaluan provimin për licensim të avansuar

Nagavci tregon se si u rritet paga mësimdhënësve që kaluan provimin për licensim të avansuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar me krenari se është përmbyllur me sukses procesi për avancimin e performancës së mësimdhënësve, si pjesë e reformave për zhvillimin profesional dhe përmirësimin e rezultateve në arsim.

“Për herë të parë javën e kaluar, e përmbyllëm me sukses provimin për licencën e avancuar, të cilit iu nënshtruan 54 kandidatë. Ky është një hap i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit,” shkruan Nagavci në një postim në Facebook.

Ajo ka shpjeguar se qëllimi i sistemit të licencimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë përmes vlerësimit të performancës.

Nagavci thotë se në mandatin e saj janë ndërmarrë hapa konkretë për funksionalizimin e sistemit, si rishikimi i akteve nënligjore për licencim, zhvillim profesional dhe vlerësim të performancës.

Arritjet kryesore sipas saj përfshijnë:

Rishikimin dhe funksionalizimin e sistemit të licencimit.

Mundësimin e aplikimit online përmes platformës e-Kosova, duke reduktuar kohën e përpunimit nga disa muaj në vetëm disa ditë.

Zhvillimin e udhëzuesve dhe formularëve për vlerësimin e brendshëm të performancës, të cilat janë prezantuar në mbi 20 punëtori me mbi 1000 pjesëmarrës.

Zbatimin e vlerësimit të brendshëm të performancës nga shkollat dhe komunat, për herë të parë pas 12 vitesh.

Planifikimin e buxhetit për shtesat e performancës për mësimdhënësit.

Mësimdhënësit që kanë përfunduar me sukses provimin dhe kanë kaluar vlerësimin nga Inspektorati i Arsimit do të përfitojnë shtesa të performancës në vlerë monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit.

“Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim,” përfundoi Nagavci./Telegrafi