Forcat ruse kontrollojnë tashmë rreth 22 për qind të tokave bujqësore të Ukrainë, që nga nisja e pushtimit në 24 shkurt, duke ndikuar në prodhimin e një prej furnizuesve kryesorë të drithërave dhe vajit ushqimorë, deklaroi të enjten Agjencia Amerikane Hapësinore (NASA).
Të dhënat satelitore të analizuara nga shkencëtarët e agjencinë hapësinore amerikane tregojnë se pushtimi i Ukrainës lindore dhe jugore nga ana e Rusisë, i jep asaj kontrollin e tokës që prodhon 28 për qind të të korrave dimërore të vendit, kryesisht grurë, elb, thekër, dhe 18 për qind të të korrave verore, kryesisht misër dhe luledielli.
Ndërprerja nga lufta e të korrave dhe sezonit të mbjelljes – përfshi dhe fermerët që ikin nga lufta, mungesa e krahut të punës dhe arat e goditura nga bombardimet – mund të kenë një ndikim të madh në furnizimet globale të ushqimit, thanë shkencëtarët e NASA-s.
“Shporta e bukës në botë është në luftë,” tha Inbal Becker-Reshef, drejtor i programit Harvest të NASA-s, i cili përdor të dhënat satelitore amerikane dhe evropiane për të studiuar prodhimin global të ushqimit.
Sipas të dhënave të SHBA-së, para luftës Ukraina furnizonte 46 për qind të vajit të lulediellit të tregtuar në tregjet globale, 9 për qind të grurit, 17 për qind të elbit dhe 12 për qind të misrit.
Pushtimi nga ana e Rusisë ka bllokuar eksportet e ushqimit nga Odesa, porti kryesor në Detin e Zi, dhe ka shkatërruar infrastrukturën e magazinimit dhe transportit në disa zona.
Kjo do të thotë se fermerët në të gjithë vendin, por veçanërisht në zonat e pushtuara, kanë më pak mundësi për ta çuar produktin e tyre në magazina dhe në tregje.
Dhe gjithashtu kërcënon mbjelljen e kulturave dimërore në vjeshtë.
“Ne jemi në fazat fillestare të një krize ushqimore që ka të ngjarë të prekë në një farë mënyre çdo vend dhe person në botë,” tha Becker-Reshef. /REL