Fjalë Kyçe

Nasim Haradinaj sot del para Gjykatës Speciale si i dyshuar për këto vepra penale

Nasim Haradinaj sot del para Gjykatës Speciale si i dyshuar për këto vepra penale

Përmes një komunikate për media, Dhomat e Specializuara, kanë njoftuar se të martën, më 29 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Nasim Haradinaj.

Haradinaj u arrestuar më 25 shtator në Kosovë, e për të njëjtin më 26 shtator ishte bërë e ditur se është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës thuhet se është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, sipas fletëarrestit për Haradinaj të bërë publik më 26 shtator thuhej se ekziston dyshimi se në konferencat për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator, Haradinaj ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike konfidenciale, në lidhje me punën e prokurorisë, si dhe thuhet se ka përmendur me emër dëshmitarë potencial, se ka dhënë informacion për vendbanimin e tyre dhe të dhëna tjera personale.

Tutje, thuhej se në konferencat e lartpërmendura, dyshohet se ai ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike e konfidenciale, jo publike që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë, duke përfshirë emrat dhe detaje personale të dëshmitarëve potencial, duke i ekspozuar  kështu këta persona ndaj kërcënimeve të mundshme për sigurinë e tyre.