Fjalë Kyçe

NATO-ja mobilizon 90 mijë trupa në stërvitjen më të madhe: Duhet të jemi të gatshëm për luftë

NATO-ja mobilizon 90 mijë trupa në stërvitjen më të madhe: Duhet të jemi të gatshëm për luftë

NATO-ja ka njoftuar të enjten se javën e ardhshme do ta nisë stërvitjen më të madhe ushtarake në dekada, duke përfshirë 90 mijë trupa dhe do t’i testojë aftësitë e aleatëve për disa muaj për konflikt të mundshëm me kundërshtarë si Rusia. Në një konferencë për media, komandantët e lartë kanë paralajmëruar se kjo është përgatitje për luftë.

Ushtrimi “Steadfast Defender 2024” do të përfshijë të gjitha 31 shtetet anëtare plus shtetin kandidat Suedinë, ka njoftuar gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, një prej komandantëve kryesorë të NATO-s, në një konferencë për media.

Ushtrimi, që përbëhet nga seri të stërvitjeve më të vogla ushtarake, do të shtrihet nga Amerika Veriore në krahun lindor të NATO-s, afër kufirit me Rusinë. Stërvitja do të përfshijë 50 anije ushtarake, 80 avionë e mbi 1100 automjete luftarake.

Ushtrimi – më i madhi që nga stërvitja “Reforger” e 1988-s gjatë Luftës së Ftohtë – vjen teksa NATO-ja po e teston aftësinë mbrojtëse si alarm pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja ka dislokuar mijëra trupa në krahun lindor dhe ka hartuar plane më të gjera që nga rënia e Bashkimit Sovjetik për ta mbrojtur veten nga një sulm i mundshëm rus.

Admirali Rob Bauer, shef i komitetit ushtarak të NATO-s, ka thënë se shkalla e ushtrimit është demonstrim i gatishmërisë së re të aleancës.

“Ky është numër rekord i trupave që mund të sjellim dhe të kryejmë stërvitje të kësaj madhësie, përtej aleancës, përtej oqeanit, nga SHBA-ja në Evropë”, ka thënë ai.

Bauer ka paralajmëruar edhe shoqëritë civile në shtetet anëtare të NATO-s që duhet të përgatiten për luftë të mundshme me Rusinë.

“Duhet ta kuptojmë se nuk jemi në paqe dhe për këtë arsye i kemi planet, dhe prandaj po përgatitemi për konflikt”, ka thënë ai. “Nuk po kërkojmë luftë, por nëse na sulmojnë duhet të jemi të gatshëm”.

Komandanti i lartë i NATO-s ka thënë se forcat tokësore ruse kanë pësuar rëndë në luftën në Ukrainë, por janë ato ajrore e detare që mbesin “forca të konsiderueshme”.

Përpjekjet e Moskës për të rindërtuar forcat e saj po pengohen nga sanksionet perëndimore, ka shtuar ai, por Kremlini megjithatë ende po arrin të rrisë prodhimin e artilerisë dhe raketave. Në terrenin në Ukrainë, Bauer ka thënë se ende po vazhdojnë luftime intensive e se fronti nuk po “lëviz në asnjërën anë”.

“The Telegraph” ka raportuar se Britania do t’i dislokojë 20 mijë ushtarë në këtë stërvitje. Ushtrimet do të mbahen në Gjermani, Poloni e shtetet baltike.