Fjalë Kyçe

NATO lëshon deklaratë pas invazionit të Ukrainës: Rusia do ta paguajë një çmim të lartë ekonomik dhe politik

NATO lëshon deklaratë pas invazionit të Ukrainës: Rusia do ta paguajë një çmim të lartë ekonomik dhe politik

Aleanca Ushtarake Veri-Atlantike (NATO) ka lëshuar një deklaratë ku kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe sulmet e ushtrisë ruse. Në deklaratë thuhet që Rusia do ta paguajë një çmim të lartë politik dhe ekonomik.

NATO ka njoftuar se po vendos më shumë mjete tokësore, ajrore dhe detare në krahun lindor të Aleancës. Kjo po bëhet për shkak të ofensivës ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës.

“Ne po vendosim forca shtesë mbrojtëse tokësore dhe ajrore në pjesën lindore të aleancës, si dhe mjete shtesë detare”, thanë ambasadorët e NATO-s në një deklaratë pas bisedimeve urgjente.

“Ne kemi rritur gatishmërinë e forcave tona për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve të paparashikuara”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ndërsa disa nga 30 vendet anëtare të NATO-s po furnizojnë Ukrainën me armë, municion dhe pajisje të tjera, NATO si organizatë nuk është duke ndihmuar. Ajo nuk do të nisë asnjë veprim ushtarak në mbështetje të Ukrainës, e cila është një partner i ngushtë, por nuk ka asnjë perspektivë për t’u bashkuar.

Vendet më afër konfliktit – Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia – janë ndër ato që kanë më shumë gjasë të përfshihen në konflikt dhe që të ndihmohen nga NATO, sipas nenit 4 të traktatit themelues të NATO-s, i cili mund të fillojë kur “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjë prej vendeve në NATO kërcënohen”.

“Ne kemi vendosur, në përputhje me planifikimin tonë mbrojtës për të mbrojtur të gjithë aleatët, të ndërmarrim hapa shtesë për të forcuar më tej parandalimin dhe mbrojtjen në të gjithë Aleancën. Masat tona janë dhe mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese”, thuhet në deklaratën e tyre.

NATO vazhdimisht kohëve të fundit ka furnizuar me armë shtetet e Evropës Lindore, për shkak të planeve të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.