Udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni kërkoi të hënën që Rusia t’i japë rrobat që ai kishte veshur ditën kur u sëmur, duke thënë se ato janë prova të rëndësishme në hetimin rreth dyshimeve për helmimin e tij. Zoti Navalni u sëmur ndërsa po fluturonte për në Moskë më 20 gusht e më pas u dërgua në një spital në Omsk. Të hënën në blogun e tij ai shkruante se para se të dërgohej në Gjermani për trajtim, dy ditë më vonë nga ngjarja, atij i ishin marrë rrobat që kishte veshur.
“Duke marrë parasysh se agjenti nervor Novichok u gjet në trupin tim dhe se ka shumë të ngjarë që të ketë qenë helmim përmes kontaktit, rrobat e mia janë një provë shumë e rëndësishme”, shkruante ai.
Një laborator ushtarak gjerman doli në përfundimin se zoti Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, një substancë për përdorimin e së cilës Rusia është akuzuar në të shkuarën nga qeveritë perëndimore, përfshirë këtu edhe rastin e një ish-agjenti rus në Britani në 2018.
Rusia nuk ka hapur ndonjë hetim mbi incidentin ndaj zotit Navalny, duke thënë se laboratorët e saj nuk kanë gjetur ndonjë të dhënë se ai ishte helmuar. Kremlini gjithashtu ka mohuar çdo akuzë se ka pasur gisht në ngjarje.
Gjermania ka kërcënuar se do t’i vendosë sanksione ekonomike Rusisë në përgjigje të asaj që ministri i Jashtëm Heiko Maas e quajti një “krim të rëndë”, ndërsa Kryeministri Britanik Boris Johnson si akt “mizor”.
Administrata Trump ka thënë se po punon me aleatët “për të vënë para përgjegjësisë Rusinë”.
Si pjesë e trajtimit, mjekët gjermanë e futën zotin Navalny në një gjendje kome të të detyruar për më shumë se një javë. Pas zgjimit u njoftuan përmirësime të gjendjes së tij shëndetësore, përfshirë rifitimin e më shumë aftësive mendore e fizike.
Aleksei Navalni ka qenë kritik i vazhdueshëm i Presidentit rus Vladimir Putin dhe puna e tij është përqëndruar në përpjekjet anti-korrupsion. Ai është burgosur shumë herë për akuza që mbështetësit e tij i kanë konsideruar si të motivuara politikisht.