Në përkujtim të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, Qeveria e Kosovës e ka filluar mbledhjen e sotme me një minutë heshtje dhe nderim për sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në luftën për liri.
Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë resorët qeveritarë dhe institucionalë në përmbushjen e obligimeve dhe angazhimeve në favor të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca1999”. Me plotësim ndryshimin e sotëm të vendimit, ndahen 100 mijë euro për realizimin e këtij projekti.
Me vendimin që ka miratuar sot Qeveria e Republikës së Kosovës, është autorizuar Ministri i Financave që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e paparashikuara” në shuma individuale deri në shumën prej 40 mijë eurove për vitin 2019 të ndarjeve buxhetore.