Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar për 48 orë F.Y. i dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se personi në fjalë dyshohet se në regjistrin zyrtar që i evidenton hyrjet-daljet e punëtorëve në Komunën e Novobërdës e ka nënshkruar vijueshmërinë në vendin e punës, kinse ka qenë i rregullt edhe pse në bazë të hyrjeve-daljeve nga të dhënat e policisë kufitare, dokumentohet se i njëjti gjatë kësaj kohe ka qenë jashtë shtetit të Kosovës.
Dje, me urdhër të prokurorisë katër zyrtarë të komunës së Novobërdës janë ndaluar për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar.
Sipas komunikatës për media, të njëjtit dyshohen se kanë marrë pagë në periudhën kohore prej 3 viteve në shumë prej 13 mijë euro pa u paraqitur në punë.
“Sot, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit e në bashkëpunim me policinë në Gjilan, janë ndaluar katër zyrtarë të komunës së Novobërdës për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatë,. transmeton Klankosova.tv. “Të njëjtit dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë mundësuar marrjen e pagës pa u paraqitur në punë, duke dëmtuar buxhetin e komunës së Novobërdës”.