Fjalë Kyçe

Ndërrimi i moteve nën izolim

Ndërrimi i moteve nën izolim

Masa të rrepta kanë mbërthyer festimet për Vitin e Ri në gjithë botën, me shtetet që po ngecin të ulin kurbën e rasteve të reja me koronavirus.

Hedhjet e fishekzjarrëve e grumbullimet tjera publike janë anuluar nga Sydney në New York.

Festat janë heshtur edhe në Evropë, për shkak të frikës nga virusi.

Franca ka mobilizuar 100 mijë policë për të parandaluar ndejat për fundvit e për të monitoruar orën policore.

Më shumë se 1.8 milionë njerëz kanë vdekur si pasojë e virusit në gjithë botën që nga fillimi i pandemisë, një vit më herët. Më shumë se 81 milionë raste janë regjistruar.

Një nga shtetet e para që priti Vitin e Ri ishte Australia. Ajo lejoi fishekzjarrët e organizuara, por jo edhe turmat.

Në Kinë, festa për vitin e ri është anuluar.

Edhe Japonia ka anuluar festën tradicionale në të cilën familja perandorake përshëndet popullin.

Në Indi, qytetet më të mëdha janë nën orë policore dhe masa të tjera shtesë për të parandaluar grumbullimet.

Në Britani të Madhe disa rajone janë të detyruara të qëndrojnë në shtëpi.

Gjermania është nën izolim deri më 10 janar e Holanda deri më 19.

Turqia për ndërrimin e moteve është në izolim total.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë shtete kanë vënë masa shtesë, me sheshin kryesor Times Square që s’do të jetë i hapur për publikun.

Fishekzjarrët janë ndaluar në shumicën e vendeve.