Fjalë Kyçe

Ndërtimet në kohë pandemie në Prishtinë

Ndërtimet në kohë pandemie në Prishtinë

Jeta dinamike dhe veprimtaria kryesore qytetare që për bazë ka kryeqytetin gjatë viteve të fundit ka rritur edhe numrin e rezidentëve në Prishtinë.

Paralelisht me nevojën e tyre për banim në Prishtinë, është rritur edhe fluksi i ndërtimeve të larta të kryeqytetit derisa shumë lagje janë ngritur nga hiçi.

Në secilën anë Prishtina është e kufizuar me rrethoja, vinça e materiale të ndryshme ndërtimi derisa qyteti përfshihet në atmosferën e zhurmshme të punës.

Plane shumëkatëshe, kushte moderne e hapësirë sa më e madhe përreth është kushti kryesor, derisa nuk mungojnë as planet luksoze me bazë Prishtinën.

Megjithëkëtë, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e me Prishtinën ndër qytetet më të prekura, edhe intensiteti i punës në ndërtim është zvogëluar dukshëm.

Sipas Faton Hoxhës nga Shoqata e Ndërtuesve të Prishtinës, edhe përkundër rrezikut të shtuar nga virusi ata nuk kanë marrë ende asnjë vendim nga Qeveria për ta ndërprerë veprimtarinë e tyre, raporton KOHA.

Bashkë me vazhdimin e punës në ndërtimtari vazhdon edhe rritja e Prishtinës, derisa ka të atillë që e shohin të arsyeshme edhe të mbindërtojnë.

Për këtë fenomen Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri thotë se edhe përkundër pandemisë po vazhdojnë inspektimet për parandalimin e ndërtuesve të jashtëligjshëm.

Tahiri tutje shton se gjatë kësaj kohe edhe drejtoria të cilën ai udhëheq është ndikuar nga pandemia duke bërë që të reduktohet numri i stafit.

Por edhe përkundër kësaj drejtori i inspekcionit thotë se po vazhdojnë diskutimet më ndërtuesit për lejet e ndërtimit dhe gjobat për shkelësit.

Përveç paralizimit të punës CO-VID19-shi ka ndikuar edhe në të hyrat e kompanive ndërtuese për çka kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Prishtinës thotë se do të jetë vështirë menaxhimi pas tejkalimit të situatës.

Derisa vendi vazhdon të përballet me pandeminë Komuna e Prishtinës ka kërkuar mirëkuptimin e bizneseve që operojnë në kryeqytet, ku pas hartimit të planit emergjent të gjitha bizneset e prekura në Prishtinë do të ndihmohen me subvencione.