Fjalë Kyçe

Ndeshja Maqedonia Veriore – Kosova mund të zhvendoset në Strumicë

Ndeshja Maqedonia Veriore – Kosova mund të zhvendoset në Strumicë

Maqedonasit dhe kosovarët deri më tani nuk e kanë diskutuar mundësinë e shtyrjes së ndeshjes në mes Maqedonisë Veriore dhe Kosovës, e paraparë për t’u zhvilluar më 26 mars në Shkup, e as mundësinë e mbylljes së dyerve për shikues.

Mirëpo, Express mëson se në opsion është zhvendosja e ndeshjes nga Shkupi në Strumicë. Kjo mund të ndodh me një rekomandim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të qeverisë maqedonase.

Federata e Futbollit e Maqedonisë Veriore i ka mohuar raportimet e disa mediave, sipas të cilave, ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Kombeve ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës, e paraparë për t’u zhvilluar më 26 mars në Shkup, mund të shtyhet apo të luhet pa praninë e publikut shkaku i masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

Zyrtarë nga të dyja federatat, maqedonase dhe kosovare, i kanë thënë Gazetës Express se këto opsione as që janë diskutuar deri më tani në mes dy palëve të cilat qysh më herët e kanë përcaktuar stadiumin gjigant të Shkupit si vendtakim, për çka nikoqirët maqedonas e kanë konfirmuar stadiumin e Shkupit edhe në UEFA.

Në anën tjetër, burime të Express-it në Shkupë thonë se nuk përjashtohet mundësia që me rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë Veriore , federata maqedonase, federata kosovare dhe UEFA të gjejnë pajtueshmëri që ndeshja të zhvendoset në stadiumin Strumicës.Megjithëse tash për tash duken minimale shanset për ndërrimin e stadiumit, kjo mundësi nuk mund të përjashtohet, e madje edhe në institucionet maqedonase qe një kohë ky opsion është në tavolinë.

Kjo vjen kryesisht për shkaqe të sigurisë për ta pamundësuar ndonjë ekses në mes tifozëve.

Stadiumi i Strumicës e ka një kapacitet prej rreth 9 mijë ulëseve dhe tifozëve nga Kosova do t’u takonin numër më i vogël i biletave, thonë burimet. Sipas tyre, po ashtu, tifozët maqedonas do të mbaheshin më lehtë nën kontroll nga organet e rendit, ndërsa lokacioni i stadiumit në Strumicë është larg vendbanimeve të shqiptarëve të Maqedonisë, grupe tifozësh nga të cilat treva kanë paralajmëruar se do ta përkrahin Kosovën në Shkup.

Pikërisht në Strumnicë për shkaqe të sigurisë ishte organizuar edhe ndeshja në mes Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë.

Stadiumi në “Tose Proeski” në Shkup e ka një kapacitet prej rreth 36 mijë ulëseve. Interesimi për ndeshjen Maqedoni Veriore – Kosovë është mjaft i madh. Fituesi i këtij dueli e takon fituesin e ndeshjes Bjellorusi – Gjerogji. Dhe, fituesi i finales shkon në “Euro 2020”.