Fjalë Kyçe

Ndeshja vendimtare në “Karagaçi”, pa shikues

Ndeshja vendimtare në “Karagaçi”, pa shikues

Kur Golden Eagle Ylli e fitoi ndeshjen e parë në Pejë e më pas edhe të dytën në Suharekë, vendi në finale dukej i garantuar për këtë skuadër. Pas ndeshjes së parë u bë edhe më e lehtë për Yllin, të paktën në letër.

Peja u dënua që dy ndeshjet e ardhshme t’i luajë pa praninë e shikuesve. Pra Ylli nuk do të duhej të përballonte presionin jo të vogël të shikuesve pejanë.

Por rrethanat ndryshuan papritur. Peja nisi të tregojë fytyrën e kampionit në fuqi dhe u kthye në lojë. Tani rezultati është 2:2, ndërsa ndeshja vendimtare e serisë gjysmëfinale të plejofit zhvillohet të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Takimi fillon në orën 19:00.

Pra skuadra pejane ka kthyer përparësinë e terrenit, por sërish nuk do ta ketë përkrahjen e shikuesve. Ndonëse pa shikues, Peja vlerësohet me gjasa të mëdha për të bërë vendin në finale. Momenti është i saj.

Gjysmëfinalen e parë në Pejë, Ylli e kishte fituar me rezultatin 87:84. Më pas në Suharekë, Ylli kishte fituar 92:86.

Peja dukej thuajse e dorëzuar kur vendosi që ndeshjen e tretë ta organizonte në Gjakovë. Por skuadra e Rami Hadarit reagoi fuqishëm, duke fituar me rezultatin 98:86, një javë më parë. Seria të mërkurën u bart në Suharekë.

Ndeshja ishte e fortë dhe Ylli kishte epërsi bindëse dy minuta para fundit. Por më pas pejanët, të frymëzuar nga fundorët Justin Edler Devis, Larry Thomas e Musa Mala, nisën rikthimin e madh. Në sekondat e fundit Thomas bëri kërcim në sulm dhe realizoi për dy pikë për fitoren 81:80.

Kështu rezultati është 2:2 pas katër ndeshjeve dhe ndeshja e pestë vendos finalistin.

Sa i takon motivimit, Peja mund të jetë në përparësi, për shkak të reagimit dhe kthimit në lojë. Por suharekasit do të tentojnë të dëshmojnë që dy humbjet ishin dobësi e rastit e jo mungesë cilësie e përkushtimi.

Trajneri i Pejës, Rami Hadar, ka paralajmëruar të tjera ndryshime në mënyrën e lojës. Në dy ndeshjet e kaluara ato i sollën sukses.

“Do t’i shfrytëzojmë më mirë lojtarët tanë shtatlartë dhe shpresojmë ta fitojmë edhe ndeshjen e tretë rresht”, ka thënë Hadar.

Me ecurinë e dy ndeshjeve të para gjysmëfinale, Ylli në fundjavë do të duhej të zhvillonte ndeshje finale të plejofit. Por finalja duket tani më e largët për Yllin dhe trajnerin Petar Mijoviq e pret punë sfiduese për ta kthyer skuadrën në rrugën e suksesit.

“Mentalisht duhet të jemi të përgatitur për ndeshje”, ka thënë trajneri nga Mali i Zi para ndeshjes në Pejë.

Se sa do të jetë e mundur kjo, do të dëshmojnë 40 minutat që pritet sërish të jenë dramatikë.

Në finale tashmë është duke pritur Trepça. Skuadra mitrovicase të dielën e kaluar siguroi finalen, duke shënuar fitoren e tretë rresht ndaj Sigal Prishtinës në serinë gjysmëfinale.

Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, kishte kohë të gjatë në dispozicion për ta përgatitur ekipin për ndeshjet finale. Do t’i ketë të paktën edhe tri ditë të tjera. Por vetëm të shtunën mbrëma ish-trajneri i Pejës dhe i Yllit do të dijë se për cilin prej këtyre kundërshtarëve ta përgatitë skuadrën mitrovicase.