Fjalë Kyçe

Ndeshje të vështira për skuadrat pretendente

Ndeshje të vështira për skuadrat pretendente

Te Gjilani besojnë se mund ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive edhe në ndeshjen e radhës, atë ndaj skuadrës së Llapit që e luajnë në shtëpi. Dueli mes Gjilanit dhe Llapit zhvillohet të shtunën prej orës 15:00, kurse i takon xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës në futboll. Gjilani po kalon formë të mirë prej se në krye të ekipit erdhi trajneri Ismet Munishi. Në katër ndeshjet e fundit, Gjilani nuk di për humbje. Ka regjistruar tri fitore e një barazim, kurse ndaj Llapit synon ta vazhdojë këtë seri pozitive.

Skuadra e Gjilanit renditet në pozitën e katërt në tabelë me 43 pikë, dhjetë më shumë se Llapi që po lufton për të mbetur në elitë edhe sezonin tjetër. Llapi është i shtati.

Skuadra e trajnerit Tahir Batatina nuk ka pasur rezultate të mira në dy ndeshjet e fundit, të cilat i ka humbur. Pësoi nga Feronikeli (4:0) në udhëtim dhe së fundi nga Drita (4:2) në shtëpi.

“Jam optimist dhe presim të vazhdojmë me rezultate pozitive sikurse në katër ndeshjet e fundit. I kemi tri fitore e një barazim dhe ekipi është i motivuar për të vazhduar me këtë ritëm deri në fund të edicionit”, ka thënë Armend Halili, mbrojtësi i krahut të majtë te Gjilani.

“Përballë e kemi Llapin, një ekip mjaft i mirë me lojtarë cilësorë. Por ne kemi përparësinë e terrenit vendas dhe duam të vazhdojmë serinë e rezultateve të mira. Besoj se edhe ndaj Llapit do të vazhdojmë me fitore”.

Skuadra e Gjilanit në këtë ndeshje do të jetë pa mesfushorin Muhamed Useini që është i lënduar dhe nuk është stërvitur gjatë tërë javës me ekipin. Në anën tjetër, Llapi pritet të jetë i kompletuar kurse trajneri Tahir Batatina ka thënë se synimi është të kthehen te rezultatet pozitive.

Në mesjavën e ardhshme, Llapi do ta luajë ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës, që e mposhti në duelin e parë me shifrat 3:2.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të japim më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv, pasi jemi të kompletuar dhe të motivuar. Mirëpo do të jemi të vëmendshëm për shkak se të mërkurën luajmë në kupë që është më e rëndësishmja këtë edicion”, tha Batatina.

Prishtina të shtunën e pret në shtëpi skuadrën e Arbërisë së Dobrajës. Kjo ndeshje nis në orën 15:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Do të jetë përballja e pestë këtë sezon ndërmjet këtyre dy ekipeve në të gjitha garat. Në katër ndeshjet e mëparshme, Prishtina ka tri fitore derisa një duel tjetër ka përfunduar pa fitues. Prishtina në këtë ndeshje futet pas dy fitoreve në udhëtim me rezultatin 1:0 derisa Arbëria ka tri humbje rresht.

Skuadrat e tjera që synojnë titullin e kampionit këtë edicion së bashku me Prishtinën, Drita e Ballkani, do të luajnë të dielën. Si Drita ashtu edhe Ballkani luajnë në udhëtim. Kampionia në fuqi, Drita, që është edhe lidere do të përballet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë me Trepçën ’89. Drita prinë në tabelë me 61 pikë, tri më shumë se Ballkani që renditet i dyti. Për Dritën kjo do të jetë ndeshja e tretë rresht si mysafire. Në dy të fundit triumfoi ndaj Llapit (4:2) dhe Arbërisë (3:1). Drita është në seri prej tetë ndeshjeve pa humbje dhe disfatën e fundit ia shkaktoi pikërisht Trepça ’89, që e pati mposhtur në Gjilan me rezultatin 2:1 në kuadër të xhiros së 20-të. 89-shi renditet i pesti në tabelë me 35 pikë dhe ka një fitore e tri humbje në katër duelet e fundit.

Te Feronikeli janë të vendosur për ta ndalur Ballkanin, për t’u larguar edhe më shumë nga zona e rrezikshme. Nikli është i gjashti në tabelë me 34 pikë, një më shumë se skuadra e pozitës së tetë që dërgon në barazh.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Islami, ka thënë se Feronikeli është përgatitur për ta fituar këtë ndeshje.

“Do të jetë një përballje shumë e fortë. E kemi parasysh që Ballkani ka një ecuri të mirë, por sikurse për ata, edhe për ne pikët janë të domosdoshme. Ndeshjes do t’i qasemi me seriozitet të madh dhe synim për ta fituar”, ka thënë Islami.

Kjo xhiro nisi të premten me ndeshjen e luajtur në Brestovik të Pejës, ku skuadra e Besës pësoi humbje nga Drenica me shifrat 2:1.