Fjalë Kyçe

Ndryshon agjenda legjislative, shtyhen disa projektligje e futen të tjera

Ndryshon agjenda legjislative, shtyhen disa projektligje e futen të tjera

Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në agjendën legjislative të saj për vitin 2021. Janë shtyrë dhjetëra projektligje ndërsa janë futur në agjendë disa të tjera.

Ministria e Drejtësisë ka propozuar shtyrjen e projektligjit për tokën ndërtimore, ndërsa ka futur në agjendë projektligjin për ndryshime në ligjin për procedurën përmbarimore.

Ministria e Financave ka hequr projektligjin për skema sociale duke thënë se do të bëhet reformë e thellë andaj duhet të shtyhet ligji.

Ministria e Ekonomisë ka shtyrë projektligjin për ndryshime në Ligjin për Ndërmarrjet Publike sepse “ka nevojë të rishihet edhe një herë”.

Ministria e Punëve të Brendshme ka futur tri ligje të reja, ndërsa ka shtyrë shtatë projektligje për një ose dy muaj.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për shtyrjen për dy muaj të agjendës legjislative të propozuar nga ajo për shkak të situatës me pandeminë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projekt-Kodin e Procedurës Penale. Sipas kryeministrit Albin Kurti, me këtë kod do të mundësohet që askush të mos i shmanget drejtësisë. Ndër tjerash parashihet edhe gjykimi në mungesë.

Është miratuar edhe projektligji për provimin e Jurisprudencës.

Mbështetje ka marrë edhe projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar.

Është miratuar edhe ndryshimi i ligjit për ndihmë juridike falas.

Ka marrë mbështetje edhe propozimi për ndryshime në Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë jashtë vendit.

Është miratuar edhe vendimi për formimin e Komisionit Shtetëror për pranim të pozitave të kategorive të larta drejtues. Do të ketë pesë anëtarë. Edi Gusia do të jetë kryesuese, ndërsa Ramiz Krasniqi, Arton Berisha, Bedri Xhafa e Safet Fazliu anëtarë.