Me gjithë polemikat dhe kritikat që gjeneron, “Topi i Artë” mbetet çmimi individual më i rëndësishëm në futbollin botëror dhe gara për ta fituar këtë çmimim për vitin 2022 po vazhdon të bëhet gjithnjë e më e ashpër.
“France Football” njoftoi në mars se rregullat për votimin e “Topit të Artë” kanë ndryshuar, dhe më kryesorja nga këto është që çmimi do të bazohet në performancat gjatë një sezoni të vetëm, në vend të një viti kalendarik që ishte deri më tani.
Kjo do të thotë se paraqitjet në Kupën e Botës 2022, e cila do të nisë në nëntor, nuk do të merren parasysh këtë vit dhe në vend të kësaj ato do të llogoriten kur të fillojë votimi për “Topin e Artë” të vitit 2023.
Rëndësia që u jepet trofeve është zvogëluar gjithashtu, që do të thotë se çmimi duhet të pasqyrojë futbollistët më të mirë nga çdo sezon, në vend të atyre që ngrenë më shumë tituj, siç ishte deri më tani.
Paraqitjet fanastike të Karim Benzemas për Real Madridin kanë bërë që të ndryshojë lista e favoritëve për këtë çmim. Sulmuesi francez tashmë qëndron në maje të kësaj liste, i ndjekur nga Robert Lewandowski dhe Mohamed Salah, derisa top-5 plotësohet nga Kylian Mbappe dhe Luka Modric.