Gjashtë familje janë evakuuar në Drenas si pasojë e vërshimeve të cilat kanë ardhur pas reshjeve të shiut dhe borës ditëve të fundit.
Sipas njoftimit nga Komuna e Drenasit ato janë vendosur në hotelet e qytetit, ndërsa ekipet emergjente, FSK-ja, Policia dhe akterë të tjerë, që nga orët e hershme të mëngjesit janë në terren për t’i ndihmuar qytetarët.
Siç thuhet në komunikatë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, menjëherë pas formimit të Qendrës Operative Emergjente, ka dalë në teren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga të reshurat e shiut.
“Kryetari Lladrovci, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të kenë mirëkuptim, për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga vërshimet. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha në ekonomi familjare, biznese e kultura bujqësore”, thuhet në njoftim.