Fjalë Kyçe

Në Ferizaj voton gruaja 107-vjeçare

Në Ferizaj voton gruaja 107-vjeçare

Xhyzide Aliu, 107 vjeçare nga fshati Dardani e Ferizajit ka votuar edhe në zgjedhjet e këtij viti në qendrën e votimit në shkollën “Dituria” në këtë fshat. Ajo tha se pret që me këto zgjedhje të vijnë kohë më të mira për të rinjtë.

“Prej që e mbaj në mend se ka filluar votimi, unë kam votuar. Të rinjtë shpresoj që marrin rrugë të drejtë. Pres ndryshim për të rinjtë, të rriten, gëzohen e të përparojnë. Të rinjtë të dalin në dritë dhe kryetari i ri t’i kënaqë të gjithë”, tha ajo në një intervistë të shkurtë për KTV-në.

Bashkë me të, për të votuar ka ardhur biri i saj i cili jeton në Zvicër por që në këto zgjedhje ka ardhur veçanërisht për të votuar. “Nuk kam lënë asnjëherë pa votuar”, u shpreh 107-vjeçarja.

Sot po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës janë: 1 milion e 794 mijë e 862 votues. Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është: 10 mijë e 433 votues. Vendvotimet janë hapur në ora 7:00 dhe mbesin të hapura deri në ora 19:00 të ditës së sotme.