Moti afrikan pritet ta pushtojë Evropën, Franca do të përballet me temperatura deklasuese.
Rekordet e temperaturave të larta, të cilat zakonisht shënohen në pjesën e dytë të korrikut ose në fillim të gushtit, pritet të thyhen në disa pjesë të Evropës gjatë kësaj jave pasi një valë e pashembullt dhe potencialisht vdekjeprurëse e vapës do ta përfshijë kontinentin, thonë meteorologët.
Ekspertët e motit presin që rekordet e mëparshme të temperaturave të qershorit të arrihen ose të tejkalohen në Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Francë, Luksemburg, Gjermani, Holandë dhe Zvicër, ndërsa pritet që në disa shtete të thyhen rekordet e të gjitha kohërave.
“Parashikimi më i fundit lë pak hapësirë për dyshime. Jemi duke shkuar drejt një rekordi të ri kombëtar”, tha Guillaume Woznica, meteorolog francez, duke treguar se “Meteo-France” parashikon që temperatura maksimale të shkojë në 45 gradë në qytetet jugore të Miesit dhe Carpentrasit të premten.
Temperatura më e lartë në qershor në të kaluarën në Francë është regjistruar më 21 qershor të vitit 2003, kur në termometër ishte shfaqur shifra 41.5 gradë. Temperatura më e lartë e të gjitha kohërave në Francë është shënuar më 12 gusht të vitit 2003 dhe ishte 44.1 gradë.
Temperatura të larta pritet të mbizotërojnë në një pjesë të madhe të Evropës, duke u nisur nga Spanja deri në Republikën Çeke. Kombinimi i ndërprerjes së një stuhie mbi Oqeanin Atlantik dhe presioni i lartë i ajrit në pjesën qendrore të Evropës ka bërë që të depërtojnë masa të nxehta të ajrit nga Shkretëtira e Saharasë.
Shkencëtarët thonë se moti i nxehtë mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm kur shfaqet në verën e hershme, para se njerëzit të jenë përgatitur për një gjë të tillë. Nga vala e të nxehtit e vitit 2003 në Evropë kishin vdekur rreth 70 mijë njerëz.
Sipas një raporti të vitit 2015 të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, valët e të nxehtit që shfaqen në pjesën e parë të verës kanë ndikim më të madh në shkaktimin e viktimave sesa vapa që mbizotëron në mes ose në fund të stinës së nxehtë, shkruan “The Guardian”,