Ligji për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të fuqizohet së bashku me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Kjo marrëveshje, sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe zyrtarëve të Qeverisë pritet të miratohet në seancën e caktuar për 9 janar, ndërsa më pas së bashku me Ligjin e gjuhëve do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i pyetur të komentojë refuzimin e presidentit, Gjorge Ivanovpër të dekretuar Ligjin për gjuhën, por edhe fazën e parë të Marrëveshjes me Greqinë, ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore.
“Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë kur janë në pyetje kompetencat kushtetuese të institucioneve. Presidenti Ivanov ishte i obliguar që këtë ta bënte, por nuk e bëri, kështu që konsideroj se është një çështje e absorbuar. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve dhe kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur i bindur se amendamentet kushtetuese do të votohen në afatin e paraparë, ndoshta edhe më herët se 15 janari, pasi nuk pret debat nga deputetët, edhe për faktin se VMRO-ja opozitare ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancë, duke e quajtur farsë gjithë debatin për shkak të refuzimit të vërejtjeve të saj që kanë të bëjnë me kundërshtimin e Marrëveshjes për emrin, të cilën e vlerëson si “kapitulluese për vendin”.
Por, nga opozita shqiptare e cila edhe më parëka pasur vërejtje për statusin e gjuhës shqipe, thonë se tashmë kanë hartuar amendamente me qëllim avancimin e gjuhës shqipe, përkatësisht barazinë e saj me gjuhën maqedonase.
“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj latin. Pra, kërkojmë një ndryshim vetëm të paragrafit 2 të amendamentit 5 të Kushtetutës”, ka deklaruar Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, parti kjo e cila vepron në dy pjesë, njëra në Qeveri, e tjetra në opozitë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars ndërsa tre ditë më vonë presidenti Ivanov kishte njoftuar se refuzon dekretimin e tij. Ligji sërish është miratuar më 19 mars, por presidenti sërish ka refuzuar ta nënshkruajë atë edhe pse Kushtetuta e detyronte ta dekretojë pas kalimit të dytë në Kuvend.
Presieden Ivanov Ligjin për përdorimin e gjuhëve e ka vlerësuar “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.
Ligji ndërkohë mbeti anash për shkak të rrethanave politike, arritjes së Marrëveshjes me Greqinë për emrin në qershor, referendumit si dhe procedurave tjera për zbatimin e saj.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni”.
Ligji avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si në të folur ashtu edhe në shkruar, në të gjitha institucionet e nivel lokal dhe qendror.