Fjalë Kyçe

Në kohë të pandemisë mijëra kosovarë ia mësyen bregdetit shqiptar, ja shifrat

Në kohë të pandemisë mijëra kosovarë ia mësyen bregdetit shqiptar, ja shifrat

Qytetarë nga Kosova kanë vërshuar Shqipërinë për të kaluar fundjavën në bregdetin shqiptar.

Shifrat alarmuese të rasteve me koronavirus nuk i kanë ndalur kosovarët që të vizitojnë gjatë vikendit bregdetin në Shqipëri. Madje fundjava ka qenë e mbingarkuar tej mase për pikat kufitare Kosovë-Shqipëri.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar të dhëna statistikore në Policinë e Kosovës në lidhje me numrin e personave që kanë hyrë dhe dalë nga Kosova për në Shqipëri.

Sipas këtyre të dhënave, për 24 orët e fundit vetëm në pikat kufitare në perëndim, kanë hyrë në Kosovë mbi 12 mijë persona, si dhe kanë dalë mbi 7 mijë.

Po nga kjo anë kanë hyrë e dalë edhe mijëra  mjete transportuese.

Sipas të dhënëve zyrtare gjatë 24 orëve të fundit nga perëndimi kanë hyrë 4 mijë e 769 vetura dhe kanë dalë 2 mijë e 997 vetura.

Ndërkaq nga ana e Lindjes kanë hyrë 6 mijë e 107 persona si dhe kanë dalë 5 mijë e 159 persona.

Vlen të theksojmë se pika kufitare më e ngarkuar gjatë sezonit të verës është ajo e Merdares, pasi aty kalojnë shumica e mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në Kosovë. E të ngarkuara janë edhe pikat kufitare me Shqipërinë, pasi shumë qytetarë shkojnë për pushimet e verës atje.

Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit disa ditë më parë ka miratuar masat lehtësuese.

Pra tani lëvizja është e lirë dhe 24 orë.

Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore.

Kujtojmë se qysh nga nisja e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, autoritetet shëndetësore u  kanë bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë respektimin e masave mbrojtëse, si ruajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave si dhe higjienën personale.

Sipas të dhënave të fundit të IKSHPK-së, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 2,677 raste dhe 49 pacientë kanë vdekur, kurse  1.425 pacientë janë shëruar.

Pushuesit nga Kosova zgjedhin kryesisht plazhin e Shëngjinit, Velipojës, por dhe Durrësin në fundjavë për të kaluar pushimet