Fjalë Kyçe

Në komunat në veri të Kosovës regjistrohen edhe katër raste me koronavirus

Në komunat në veri të Kosovës regjistrohen edhe katër raste me koronavirus

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë janë paraqitur edhe katër raste të reja me koronavirus, që të gjithë në veri, ka bërë të ditur të dielen epidemiologu Aleksandër Antonijeviq në konferencën për shtyp të Shtabit të Krizave në Mitrovicë. Numri i përgjithshëm i serbëve të infektuar ka mbërritur në 27, prej të cilëve 26 në veri, raporton “Kossev”, transmeton KOHA.

Në Mitrovicën e Veriut gjatë 24 orëve të kaluara janë paraqitur tri raste të reja, derisa në Zveçan një rast, është bërë e ditur gjatë kësaj konference.

Antonijeviq po ashtu ka bërë të ditur se në Infektivën në Mitrovicë janë të shtrirë tetë pacientë, tre janë transferuar në Nish, një në Beograd, derisa Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të dielen është pritur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një vizite në këtë qytet.

Sveçla dhe Bahtiri pas takimit kanë vizituar edhe Lagjen e Boshnjakëve në pjesën veriore të qytetit, për të parë gjendjen e banorëve të kësaj lagjeje.

Ndërkohë, si është bërë e ditur nga njoftimi për shtyp i ministrisë së Brendshme dhe Administratës Publike, gjatë takimit është biseduar “lidhur me situatën e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19 në pjesën veriore të Mitrovicës, me ç’ rast para dy ditësh Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për vendosjen në karantinë të Komunës veriore dhe Zveçanit, si pasojë e rritjes së rasteve me Covid-19 në atë pjesë”.

Po ashtu, sipas njoftimit të ministrisë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës janë shpërndarë mbi 400 pako ushqimore dhe higjienike për secilën familje në nevojë që jetojnë në fshatrat dhe lagjet e veriut, ku Komuna e Mitrovicës ka siguruar 305 pako, ndërsa pakot të tjerat nga Kryqi i Kuq i Kosovës.