Me motot “Dashuri e dyfishuar, gjumë i përgjysmuar”, “Nënat heroina” “Born together, friends forever”, “Njeriu asnjëherë në jetë nuk është i përgatitur për dy gjëra” e shumë të tjera u shënua Dita ndërkombëtare e Binjakëve në Kosovë.
Shumë prindër, me fëmijët e tyre binjakë e trinjakë parakaluan nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe u ndalën te Teatri Kombëtar. Aty u bë thirrje për përkrahje institucionale prindërve në kalimin e vështirësive financiare e sociale.
Krahas permformancave artistike, u nda edhe çmimi “Nëna heroinë” për Shehnaze Bekteshin, tashmë e ndjerë, si nëna e parë e pesnjakëve në Kosovë. Dita ndërkombëtare e Binjakëve ka filluar të organizohet që nga viti 1976, por në Kosovë kjo është hera e parë që organizohet.
Se nuk kanë përkrahje institucionale e thotë edhe njëra nga organizatoret e kësaj dite në Kosovë, Arta Tahiri-Beqa. Ajo u bënë thirrje organeve institucionale për ndihmë në aspektin social edhe atë financiar.
Se ka nevojë për përkrahje institucionale u pajtua edhe deputetja Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Si nënë e binjakëve, deputetja Osmani premtoi se do të jetë një zë i fuqishëm i të gjitha nënave binjakë e trinjakë.