Fjalë Kyçe

Në Kosovë vetëm FFK-ja është autonome dhe legjitime të organizojë gara

Në Kosovë vetëm FFK-ja është autonome dhe legjitime të organizojë gara

Pas lajmit se Serbia do të organizojë zgjedhje në të ashtuquajturën Federatë Serbe të Futbollit për Kosovë, shkruan GazetaAlo.

Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër dhe i kundërshton fuqishëm këto zgjedhje dhe si të tilla nuk sjellin e prodhojnë asnjë efekt juridik, veçsa i dëmtojnë përpjekjet e FFK-së që po punon fort për integrimin e komunitetit serb në futboll dhe sjellin huti te futbollistët serb.

FFK-ja, ka ndarë rrugët me Serbinë qysh në vitin 1991, ndërsa kjo ndarje është forcuar dhe vulosur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. FFK-ja tashmë është pjesë me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA dhe është i vetmi organ që ka të drejtën e organizimit të futbollit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Së këndejmi çdo tendencë për të themeluar një të ashtuquajtur Federatë serbe të futbollit për Kosovë për të organizuar gara në futboll, është e papranueshme dhe e konsiderojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë e FFK-së. Ndaj, FFK-ja nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që një organizatë e tillë ilegale të organizojë gara në territorin e vet.

Serbia, në këtë kohë po proklamon pajtimin me shqiptarët dhe njohjen e Kosovës, por veprimet e saja flasin të kundërtën e kësaj, madje ajo shkon aq larg sa përpiqet, jo vetëm në aspektin politik, por edhe sportiv ta dëmtojë Kosovën dhe po punon në çdo segment ta defaktorizojë dhe angazhohet për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim.

Ndaj, i bëjmë thirrje Serbisë që menjëherë të heq dorë nga këto veprime, sikur që ftojmë të gjitha organet tona shtetërore, në veçanti MKRS–në dhe KOK-un të reagojnë ashpër për parandalimin e këtyre veprimeve.

Sikur, që ne do të reagojmë edhe të dy shtëpitë e futbollit, ajo Evropiane dhe Botërore, pjesë e së cilave është FFK-ja që të ia tërheqë vërejtjen Serbisë që ta ndalojë me këso lloj veprimesh. FFK-ja është e përkushtuar që të punojë edhe më tutje për përfshirjen e futbollistëve dhe ekipeve serbe në garat e futbollit të Kosovës, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ne duam të besojmë, se të gjitha institucionet e Kosovës politike dhe sportive do t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për parandalimin e veprimeve të tilla, sikur që besojmë dhe shpresojmë se Serbia, do të ndalojë me veprime të tilla edhe për të mirën e komunitetit serb.

Presidenti i FFK-së
Agim Ademi