Komisioni Qendror i Zgjedhje sot ka miratuar 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore.
Një nga këto specifika ka qenë edhe “për shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime”, e cila pritet të vlejë edhe për zgjedhjet tjera kurdo që të mbahen ato.
“Edhe pse votova pro, një dilemë sa i përket çështjes së kamerave në vendvotim nuk po flas për rastin konkret, është çështje që do të përcillet kurdo që mbahen zgjedhjet në krejt Kosovën. A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë sepse kjo çështje është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë. Nuk po flas për rastin konkret sepse kjo do të vlejë edhe për herë tjera por këtu kam dilema, nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore”, tha ai.
Arianit Elshani, anëtar tjetër në KQZ nga PDK, ka thënë se kamerat do të huazohen nga Komisioni Qendror i Shqipërisë, ndërsa sa i përket zgjedhjeve të ardhshme lokale e parlamentare do të nevojiten procedura të veçanta.
Ai ka thënë se ky është një lloj testimi apo pilotimi.
“Ashtu siç është e rregulluar edhe me rregulla zgjedhore që i kemi lënë hapësirë për garantimin e transparencës dhe regjistrimit në vendvotime, realisht këto specifika janë veçc për përkrahjen teknike që do të jepet sepse është një procedurë e veçantë që do të zhvillohet për marrjen në shfrytëzim, në huazim nga KQZ e Shqipërisë, për të cilën do të kemi edhe një memorandum bashkëpunimi me ta dhe do të huazohen këto kamera për të incizuar brenda vendvotimit. Por sigurisht se kjo cështje sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në nivel nacional nevojiten procedura të veçanta, pra ky është një lloj testimi, pilotimi që po i bëjmë për përdorimin e këtyre kamerave brenda vendvotimit”, tha Elshani.
Ndërkaq, anëtari i KQZ’së nga VV, Alban Krasniqi, ka thënë se vendosja e kamerave është pjesë e dy rregulloreve.
Ai ka thënë se ruhet fshehtësia e votës pasi kamerat do të vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit të votimit.
“Dmth vendosja e kamerave regjistruese janë pjesë e dy rregulloreve, ajo për votim dhe për punën e KVV’ve. Në anën tjetër, ligji i ri ia ka dhënë si obligim KQZ’së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht se është e qartë se ruhet fshehtësia e votës, ato vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që nesër mund të na duhet, për rezultate apo aspekte tjera, kjo është e zgjidhshme. Për herë të parë po i bjen tash, por rregulloret i kemi miratuar dhe vazhdon të përdoret edhe në proceset tjera zgjedhore”, tha Krasniqi.