Fjalë Kyçe

Në Kroaci ka rreth 14 mijë shqiptarë

Në Kroaci ka rreth 14 mijë shqiptarë

Në Kroaci, sipas regjistrimit të vitit 2021, jetojnë 13817 shqiptarë dhe Kushtetuta e këtij vendi i njeh pakicë kombëtare.

Sipas Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, shumica e prej tyre janë të përqendruar në qytetin e Zagrebit, në qarqet Primorje-Gorski Kotar, Istria, Split-Dalmacia, Osijek-Baranja dhe Bjelovar-Bilogora. Ata, sipas ambasadës, ushtrojnë të drejtën për arsimim, si dhe kanë përfaqësuesit e tyre.

“Në zgjedhjet për këshille dhe përfaqësues të pakicave kombëtare, të mbajtura në vitin 2019, u zgjodhën 27 këshille dhe 8 përfaqësues të pakicës kombëtare shqiptare në qarqe, përfshirë qytetin e Zagrebit dhe 10 përfaqësues nëpër qytete”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada ka thënë se shqiptarët në Kroaci ruajnë simbolet, si dhe shënojnë festat e tyre.

“Ruajtja e emrave dhe simboleve tradicionale, si edhe emërtimi i vendbanimeve, rrugëve dhe shesheve me persona dhe ngjarje me rëndësi për historinë dhe kulturën e pakicës kombëtare shqiptare rregullohet me status në zonën e Shibenikut- Qarkut të Kninit”, thuhet nga ambasada.

Ndërsa, sipas të dhënave të kësaj ambasade, migrimet e qytetarëve të Kosovës për në Kroaci kanë filluar në periudha të ndryshme historike.

“Sipas punimeve hulumtuese të publikuara, migrimet nga Kosova në Kroaci kanë filluar midis dy luftërave botërore (gjatë vitit 1930) dhe janë vazhduar më pas nga fillimi i viteve 1950 deri më 1970, për shkak të zhvillimit të turizmit në Kroaci”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës kroate.

Kroatët në Kosovë, ashtu si edhe malazezët nuk kanë statusin e pakicave kombëtare, ndonëse ka pasur kërkesa për një gjë të tillë. Në Kosovë pakicat e njohura me Kushtetutë janë komuniteti serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian dhe ai goran.