Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha e shenjtë e Krishtlindjes, e cila u udhëhoq nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili bëri thirrje për paqe. Ai tha se paqja e njerëzve mbi tokë është dhuratë që vjen prej Zotit dhe i afrohet njerëzimit.
“Shpresa dhe lumturia nuk gjenden në pasurinë e tokës, as tek politika e pushteti, as te lavdia, por në mënyrë të mistershme fshihet brenda dhuntive dhe hireve që i marrim prej Zotit”, tha ai gjatë meshës.
Me rastin e festës së Krishtlindjes, Ipeshvkia e Kosovës organizoi edhe pritjen solemne, në të cilën morën pjesë personalitete nga jeta politike dhe kulturore.
Kryeministri i Kosovës, Alin Kurti, i cili mori pjesë në këtë pritje i uroi Ipeshkvit Dodë Gjergji dhe besimtarëve katolikë Krishtlindje të gëzuar.
Presidentja Vjosa Osmani, i uroi të gjithë besimtarët e krishterë, siç tha, që në këtë ditë ta rrisin shpresën e t’i hapin zemrat.
“Në shtëpinë e secilit të mbizotërojë shëndeti, lumturia e paqja! Të jemi solidarë, të reflektojmë harmoni e të festojmë bashkë”, shkroi ajo në Facebook.
Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.