Fjalë Kyçe

Në mesin e të infektuarve me koronavirus në Ferizaj edhe një mjek

Në mesin e të infektuarve me koronavirus në Ferizaj edhe një mjek

93 persona janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19 në Ferizaj.

Kjo komunë po prin me numrin e personave të infektuar me koronavirus në Kosovë. Tri rastet e fundit u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës, kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës publikoi rastet e reja me koronavirus. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar për Express se në mesin e personave të konfirmuar me COVID-19 është edhe një mjek i spitalit regjional të kësaj komune.

Tre persona nga Ferizaj u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës me COVID-19, duke çuar në 93 numrin e të prekurve me virus në këtë komunë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar për Express se personat që u konfirmuan me COVID-19 mbrëmë, janë raste kontakti të personave që janë konfirmuar më herët.

“Rastet e mbrëmshme janë raste të kontakteve të personave që janë konfirmuar me COVID-19 më herët në komunën tonë. Në mesin e tyre është edhe një urolog që punon në Spitalin Regjional të Ferizajt. Ndërkaq dy personat tjerë janë bashkëshortet e dy punëtorëve të Bonstillit”, ka thënë Aliu.

Aliu theksoi se janë në gjurmim të kontakteve që personat e prekur me COVID-19 mund të kenë pasur me familjarë të tyre apo me njerëz të tjerë.

“Jemi në përpilim të listave të kontakteve që mund të kenë pasur këta persona. Momentalisht nuk kemi ndonjë numër të personave që do të testohen, pasi gjatë ditës do t’i gjurmojmë të gjitha kontaktet e mundshme të tyre”, ka theksuar Aliu.

Aliu tha se gjendja me furnizime me materiale shpenzuese në QKMF’të e Ferizajt momentalisht është e mirë.

Ndërkaq tha se qytetarët po i respektojnë masat e dala nga qeveria, për të qëndruar në shtëpi. Derisa theksoi se ka nevojë për më shumë prezencë të policisë.

Aliu bëri të ditur se deri më tani në Ferizaj është vetëm një person i shëruar, derisa një ka vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Ndërkaq në Klinikën Infektive të QKUK’së po trajtohen katër persona nga komuna e Ferizajt me COVID-19.

Sipas Aliut, gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me OVID-19 deri më tani në Kosovë ka shkuar në 630.

Nga ta, 138 persona janë shëruar, ndërkaq në tërë territorin e Kosovës kanë vdekur 18 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.