Fjalë Kyçe

Në mungesë të fondeve, ndërpriten punimet në ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

Në mungesë të fondeve, ndërpriten punimet në ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

Prej disa muajsh janë ndërprerë punimet në projektin e Spitalit Rajonal në Ferizaj, si pasojë e mungesës së mjeteve financiare dhe ndryshimeve brenda projektit.

Për këtë kanë reaguar zyrtarët e Komunës, duke thënë se spitali aktual i Ferizajt po funksionon me hapësira të kufizuara, përderisa aty marrin shërbime qytetarët e pesë komunave të regjionit, raporton KOHA.

Bekim Ademi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka kërkuar nga niveli qendror që të gjejë mundësi për zgjidhjen e problemit të projektit të spitalit.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga drejtues të Spitalit, që thonë se pavarësisht mungesës sa hapësirës shërbimet aty po i marrin gati një çerek milioni qytetarë.

Derisa edhe nga shoqëria civile thonë t’i jenë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesën që të gjenden mundësitë financiare për vazhdimin e punës.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth çështjes së spitalit. Ndërkohë, sipas planit dinamik, spitali regjional i Ferizajt do të duhet të përurohet në muajin qershor të vitit 2021.