Shumë pjesë të kryeqytetit të Kosovës vazhdojnë të jenë në këtë gjendje nga mbeturinat.
Pavarësisht fushatave dhe masave të ndërmarra nga ana e institucioneve përgjegjëse, ende nuk po arrihet që të krijohet një ambient i pastër, raporton KTV.
Qytetarët thonë se duhet të ketë më shumë interesim të institucioneve, por fajtorë kryesorë thonë se mbetet vetë qytetari.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në vazhdën e masave për vetëdijesimin e qytetarëve për hapësira sa më të pastra, në Ditën Botërore të Riciklimit, ka realizuar disa aktivitete.
“Ruje, mos e gjuj” është projekti i cili u lansua të hënën, i cili ka qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave dhe riciklimit.
Projekti do të zbatohet nga “Green Art Center”, ndërsa mbështetet nga Coca-Cola HBC Kosova dhe Ministria e Mjedisit dhe me këtë rast, u nënshkrua edhe memorandumi i bashkëpunimit.
Ndërkaq, Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se pavarësisht mbështetjes, kompetente për largim të mbeturinave në hapësira publike është komuna.
Më tutje, ai ka treguar se këtë muaj do të ketë një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku edhe do të diskutohet çështja e mbeturinave.
Kohavisioni ka kontaktuar gjatë ditës zyrtarë të komunës së Prishtinës, por ata nuk kanë dashur të flasin.
Gjatë ditës së hënë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prezantuar edhe aplikacionin për cilësinë e ajrit në 8 qendra të Kosovës.
Ky aplikacion, përveç cilësisë së ajrit, do të përmbajë edhe informacione të tjera.