Fjalë Kyçe

Në projektligjin për Qeverinë janë propozuar 15 ministri, por numri mund të shkojë në 17

Në projektligjin për Qeverinë janë propozuar 15 ministri, por numri mund të shkojë në 17

Ekzekutivi i udhëhequr nga Avdullah Hoti synon që me ligj t’i përcaktojë përgjegjësitë dhe kufizimet e punës së Qeverisë dhe anëtarëve të saj.

Në projektligjin për Qeverinë është kufizuar në 3 numri i zëvendëskryeministrave, 15 i ministrive dhe dy të tjera për të cilat mund të vendosë mandatari për kryeministër, që e çon në 17 numrin e tyre.

Qeveria aktuale, që deri tani ka 46 zëvendësministra, ka paraparë që numri i tyre të jetë deri në 40, raporton KOHA.

Qeveria ka propozuar që të ketë rreth 250 këshilltarë politikë dhe nëpunës të kabineteve.

Por, Instituti GAP këtë qasje të Qeverisë e konsideron aspak serioze.

Në këtë projektligj është propozuar që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë dhe po ashtu edhe 10 këshilltarë të jashtëm politikë.

Zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 10 këshilltarë politikë dhe 5 të tjerë të jashtëm.

Ndërkaq, ministrat mund të emërojnë deri në gjashtë 6 këshilltarë dhe 3 të tjerë të jashtëm.

Në projektligj është paraparë edhe parandalimi i konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit në qeveri.

Sipas nenit 15 të projektligjit, anëtarët e Qeverisë dhe zëvendësministrat nuk mund të

ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik, përveç kur ajo ushtrohet sipas detyrës zyrtare.

Gjithashtu, nuk mund ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal, e as asnjë marrëdhënie tjetër të punës në sektorin privat.

Aktualisht, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, mban postin edhe të këshilltares në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se ligjin për Qeverinë synojnë ta miratojnë gjatë 2020-s.

Në kohën kur ekzekutivin e udhëhiqte koalicioni PDK, AAK, Nisma, me Ramush Haradinajn kryeministër, ishte iniciuar ky projektligj.

Por, Qeveria kishte dështuar ta dërgojë për miratim në Kuvend, për shkak të mospajtimeve brenda Qeverisë me numra rekord të ministrive e zëvendësministrave.