Qytetarë serb kanë marshuar në Beograd të premten duke valëvitur flamujt rusë dhe duke mbajtur fotografi të presidentit Vladimir Putin, në një shfaqje të rrallë të mbështetjes publike për Moskën pas sulmit të saj në Ukrainë.
Serbia po kryen një akt delikat balancues midis aspiratave të saj evropiane, partneritetit me NATO-n dhe aleancës së saj shekullore fetare, etnike dhe politike me Rusinë.
Për shumë serbë të zakonshëm, kujtimi i bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave strategjikë në Serbi për t’i dhënë fund luftërave ballkanike të viteve 1990 është ende shumë i freskët, një veprim që u kundërshtua ashpër nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili përballet me zgjedhjet muajin e ardhshëm, në të cilat duhet të ruajë mbështetjen e qytetarëve me prirje ruse, ka theksuar në ditët e fundit gjithashtu në mënyrë të përsëritur mbështetjen për një kohë të gjatë të Moskës në Kombet e Bashkuara, ku ajo ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës.
Para fillimit të marshimit, rreth 2,000 njerëz u mblodhën pranë ndërtesës së presidencës në Beogradin qendror, duke intonuar himnet ruse dhe serbe dhe duke përshëndetur të dy vendet si kombe vëllezër përpara një monumenti të Carit rus Nikolla II.
Midis tyre ishin anëtarë lokalë të klubit të motoçikletave “Ujqërit e natës” të Rusisë, të njohur për lidhje të ngushta me Putinin dhe me një histori luftimesh në Ukrainë në anën e separatistëve pro-rusë gjatë krizës së Krimesë në vitin 2014 dhe luftës mbi rajonin e Donbasit.
Pikëpamjet politike të shumë njerëzve në Serbi janë formuar nga tabloidet e afërta me Vuçiqin, të cilat i kanë bërë jehonë pikëpamjes së Moskës për luftën në Ukrainë, me një nga titujt që thoshte “Ukraina sulmoi Rusinë!” në ditën e parë të pushtimit.
Por ka gjithashtu mbështetje për Ukrainën, me dhjetëra që protestuan kundër pushtimit rus përpara ambasadës së saj në fillim të kësaj jave dhe më shumë ngjarje që priten gjatë fundjavës.
Rusia i quan veprimet e saj një ‘operacion special’ i krijuar jo për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj dhe për të kapur ata që ajo i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.
Më herët të premten, Vuçiç i tha ambasadorit të Ukrainës në Serbi se Beogradi respekton ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se është i gatshëm të ofrojë ndihmë humanitare dhe të pranojë refugjatë.
Serbia, e cila mbështetet tek Moska për nevojat e saj energjetike, iu bashkua gjithashtu dënimit të sulmit të Rusisë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës.
Vuçiq ka thënë se vendi është nën presion të madh për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, të cilit synon t’i bashkohet.
Air Serbia vazhdon të ketë fluturime midis Beogradit dhe Moskës, madje duke shtuar kapacitetin pasi BE-ja dhe Rusia vendosën ndalesa të hapësirës ajrore./rel