Zyrtarët dhe mediat serbe janë “alarmuar” për shkak se gjykatat e Kosovës do të marrin lëndët e EULEX-it që kanë të bëjnë me krimet serbe të luftës në vendin tonë, duke paragjykuar vendimet e tyre se “do të jenë të padrejta”, “jo profesionale”…
FoNet citon avokatin Nebojsha Vllajiq të ketë thënë “me rastin e vendimit që gjykatat e Kosovës të marrin lëndët për krimet e luftës nga EULEX-i, se gjykimet ndaj serbëve do të jenë tepër të mundimshme dhe të vështira, sepse duhet të dëshmoni pafajësinë e njerëzve para atyre që nuk duan të dëgjojnë këtë fjalë”.
Sipas kësaj agjencia serbe të lajmeve, EULEX-i nuk gjykon më lëndët për krime lufte, ato u kalohen gjykatave të Kosovës. Nga 11 aktakuza, tri janë kundër gjeneralëve të pensionuar serbë: Bozhidar Deliqit, Lubisha Dikoviqit dhe Momir Stojanoviqit.
Gjykatat e Kosovës kanë marrë rastet e krimeve të luftës nga EULEX-i, këahtu që do të gjykojnë për krimet që i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së ndaj serbëve, dhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve për të cilat dyshohen serbët.
Kryetari i Këshillit për Kosovën të Kuvendit të Serbisë, Millovan Drecun ka thënë se bëhet fjalë për 11 lëndë, të cilat EULEX-i ia përcjell gjyqësorit të Kosovës, prokurorisë dhe gjykatave kompetente. Siç thekson kjo agjenci, që të 11 këto lëndë kanë të bëjnë me shtetas me përkatësi serbe…
Avokati Vllajiq i ka thënë RTS-së se ” nëse do të kishte pak shpresa derisa në gjyqësorin e Kosovës ishte i angazhuar EULEX-i, ndonëse ka pasur aktgjykime liruese, tani shpresa të tilla tani ka gjithnjë e më pak”.
Sipas këtij avokati, në Kosovë kompetencat për të gjykuar rastet e krimeve të luftës i janë lënë Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Këto raste nuk mund të gjykohen në Mitrovicë, kur shumica e gjyqtarëve janë serbë”, ka thënë ai.