Të enjten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është diskutuar për Kosovën dhe Serbinë.
Por, derisa kishte nisur fjalimin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mediat në Serbi kanë ndaluar transmetimin, transmeton Telegrafi.
“Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën e tij kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq, që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, thotë Kadriu.
Tutje, Kadriu ka shkruar se “Vuçiç është në panik dhe frikë të madhe, përballë Republikës së Kosovës, një shteti progresist e demokratik”.
Kadiu gjithashtu ka shpërndarë linkun e televizionit Tanjug në momentin që ka ndërprerë transmetimin, duke mos e shfaqur kryeministrin Kurti.
Ndryshe, të enjten Kurti ka hedhur poshtë çdo pretendim që sugjeron se Kosova është përfshirë në një politikë të spastrimit etnik ndaj pakicës serbe.
“Nuk ka vend për gënjeshtra në dialogun ndërkombëtar. Akuzat e ngritura nga ana e Serbisë janë jo vetëm të pabazuara, por edhe të paarsyeshme në kohë dhe në kontekst”, u shpreh ai.