Në qytetin e Shtimes është mbajtur një protestë paqësore në kërkim të drejtësisë në rastin ku nga një aksident humbën jetën pesë anëtarët e familjes Ramadani, në qershor të këtij viti.
Protesta u zhvillua pas kërkesës së prokurorit dhe aprovimit nga ana e gjykatës për lirimin në arrest shtëpiak të personit që dyshohet se shkaktoi aksidentin ku mbetën të vdekur fillimisht katër anëtarët, e më pas edhe anëtari i pestë i kësaj familje.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta ku shkruhej “Ministre ku je”, “Po drejtësi, jo korrupsion”, e tjera pankarta.
Ndryshe, aksidenti tragjik kishte ndodhur më 6 qershor, në Koshare të Ferizajt. Në aksident kishin qenë të përfshira dy automjete civile të udhëtarëve.
Deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M. 22-vjeç, po qarkullonte nga drejtimi i Ferizajt drejt Shtimes dhe me të arritur në Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VW Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt.