Ende shiten produkte pa u tatimuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në veri të Kosovës. Evazioni fiskal në veri të vendit ka arrit mbi 80 për qind, ngase bizneset dhe qytetarët në atë pjesë të vendit nuk po i paguajnë tatimet institucioneve të Republikës së Kosovës. Drejtues të ATK-së thonë se informaliteti në atë pjesë është sfidues.
Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), Arsim Selmonmusaj thotë për KosovaPress se as inspektorët e Administratës Tatimore nuk po operojnë në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës, e që kjo ka ndikuar që shkalla e evazionit fiskal të jetë mjaft e lartë.
Selmonmusaj i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ATK-së që të aktivizohen dhe të mos lejojnë që të sfidohen nga disa biznese, por të trajtohen të gjitha bizneset barabartë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai thotë se pikë e parë, bizneset në veri nuk janë të pajisura me arka fiskale dhe nuk kanë kurrfarë evidence nga inspektorati për të evidentuar qarkullimin e mallrave. Po ashtu, sipas tij edhe importi që bëhet nga Serbia në pjesën veriore është i pa menaxhueshëm.
Drejtori i Departamentit të Administratës së Financave në Odën Ekonomike të Kosovës, njëherësh koordinator i Njësisë Rajonale të Mitrovicës, Rrustem Abiti në një deklaratë për KosovaPress thotë se llogaritet që biznese aktive në pjesën veriore të Kosovës janë një mijë e 200 biznese, ndërsa shumë biznese të cilat funksionojnë në forma ilegale, përveç që nuk ia paguajnë tatimet ATK-së, iu përgjigjen institucioneve të Serbisë.
Se akoma shiten produkte pa u tatimuar nga Administrata Tatimore e Kosovës në veri të Kosovës, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress që kjo ndërlidhet me evazion fiskal, sikur që ndodhë kjo dukuri në të tërë botën.
Murtezaj thotë se synojnë që të zhvillojnë autoritetin e tyre dhe t’ia pamundësojnë të gjithë tatimpaguesve që mos të veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se biznese të ndryshme në veri të Mitrovicës janë zënë gjatë tentim kontrabandimit, përmes rrugëve malore, si nga pjesa veriore, ashtu edhe nga pjesë të tjera.
Ndryshe, funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në pjesë veriore është i brishtë dhe sfidues për pjesën veriore që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.