Fjalë Kyçe

Në Zvicër, vetëm 37 gra bartin ferexhe – asnjë burka

Në Zvicër, vetëm 37 gra bartin ferexhe – asnjë burka

Një vend i njohur gjerësisht për neutralitetin e saj, Zvicra po e vë veten në mes të debatit rreth lirive të fesë dhe shprehjes duke ndaluar gratë që të mbajnë burka ose ferexhe (mbulesa të fytyrës) në hapësirat publike.

Me një diferencë të vogël, votuesit zviceranë zgjodhën për të ndaluar njerëzit të mbulojnë fytyrën e tyre plotësisht në rrugë, në dyqane dhe restorante, duke përjashtuar mbulesat për arsye shëndetësore dhe sigurie në kohën kur shumë njerëz në të gjithë botën vazhdojnë të bartin mbulesa fytyre për t’u mbrojtur nga COVID-19. Zvicra e mandatoi bartjen e mbulesave të fytyrës shumë më vonë se vendet e tjera evropiane, raporton “The Hill”, transmeton Zeri.info.

Një video në faqen e internetit të qeverisë zvicerane që shpjegon argumentet në favor të një ndalimi thotë se “mbulesat fetare si burka ose ferexheja janë një simbol i shtypjes së grave dhe nuk janë të përshtatshme për shoqërinë tonë”, sipas “The Guardian”. Mbulesat fetare dhe mbulesat e kokës barten nga ndjekës të shumë praktikave të ndryshme, përfshirë judaizmin, islamin, krishterimin, hinduizmin dhe sikizmin, ndër të tjera. Burka ose ferexheja, megjithatë, janë specifike për islamin dhe janë ngatërruar me ekstremizmin.

“Debati publik që po zhvillohet në media dhe politikë në Zvicër që nga viti 2006 kryesisht paraqet një pamje të përgjithshme të grave të pafuqishme, të integruara dobët, të cilat janë të detyruara të mbulohen plotësisht nga babai ose burri i tyre”, tha Andreas Tunger-Zanetti, një studiues në Universitetin e Luzernit dhe koordinator i Qendrës për Kërkime mbi Fetë, duke shtuar se provat nuk e mbështesin këtë.

Myslimanët, shumë prej të cilëve kanë origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova, përbëjnë rreth 5 përqind të popullatës zvicerane prej 8.6 milionë banorësh. Nga kjo përqindje, më së shumti 37 gra në Zvicër mbajnë ferexhe, një mbulesë që mbulon të gjithë fytyrën dhe vetëm i lë sytë të lirë, dhe asnjë nuk e mban burkën, një mbulesë për tërë trupin, sipas një sondazhi nga Qendra. Studimi zbuloi gjithashtu se ata që bartin ferexhe, shumica e të cilëve janë të socializuar në Perëndim dhe nuk janë rritur si muslimanë, e bëjnë këtë për bindjen e tyre, pa ndonjë provë të lidhjes me ekstremizmin

“Kjo politikë simbolike drejtohet kundër muslimanëve femra dhe meshkuj”, tha Federata Zvicerane e Organizatave Ombrellë Islamike në një deklaratë. “Por gjithashtu dëmton tërë Zvicrën, e cila ka minuar vlerat e veta duke pranuar iniciativën”.