Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë të mërkurën, 30 mars, se ndihet optimist pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse, në të cilat Moska ka thënë se do të zvogëlojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake afër Kievit dhe Çernihivit.
“Jam optimist për rundin e negociatave në Stamboll”, ka thënë Podolyak, duke iu referuar bisedimeve të së martës në Turqi.
Ai ka thënë se sistemi i propozuar i garancive për sigurinë e Ukrainës, i cili do të ofrohet në këmbim të neutralitetit, do të vendoset në referendum, vetëm pasi trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që kanë mbajtur para nisjes së pushtimit në Ukrainë.
Kremlini, në anën tjetër, ka minimizuar shpresat se është arritur përparim në bisedime.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Megjithatë, ai ka thënë se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar shpërthimet ruse.
Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.
Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.
Zelensky po ashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.
“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë më 29 mars se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët.
Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës. /REL