Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar nëntë të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një qendër tregtare në Ferizaj.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani ka thënë për lajmi.net se dy nga nëntë të lënduarit që po trajtohen në QKUK janë në sallën operative për trajtimin e plagëve.
Të lënduarit që po trajtohen në këtë klinikë kanë lëndime të shkallës së dytë, djegie në fytyrë, djegie të ekstremiteteve të sipërme e të poshtme dhe të trupit.
“Për momentin 9 i kemi në Kliniken Emergjente. Jemi në vlerësim të gjendjes, edhe 12 i kemi në Spitalin e Ferizajt. Dy i kemi në sallën operative për vlerësimin e plagëve. Ndërsa vlerësimin e gjendjes së tyre do ta japim më vonë”, ka thënë Lenjani.