Eksperti kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sëmundje, Anthony Fauci, pritet të paralajmërojë senatorët se një rihapje e parakohshme e ekonomisë, pas izolimit nga koronavirusi, do të çojë në “vuajtje dhe vdekje të panevojshme”.
Raportimi i Faucit, drejtorit të Institutit Kombëtar për Sëmundje, vjen pasi presidenti Donald Trump u bëri presion shteteve të lirojnë masat kufizuese duke thënë se “njerëzit po vdesin edhe nga karantina”.
Fauci, që pritet të dalë para senatorëve të martën, i ka thënë gazetës “New York Times” se mesazhi i tij kryesor për ligjvënësit do të jetë “rreziku i hapjes së parakohshme të shtetit”.
“Nëse i anashkalojmë kufizimet, për të ‘Hapur Amerikën Sërish’, rrezikojmë edhe shpërthime të shumëfishta të infeksionit në gjithë shtetin”, ka thënë ai. “Kjo jo vetëm se do të rezultojë në vuajtje dhe vdekje të panevojshme, por edhe do të na kthejë mbrapa në përpjekjet tona që t’i kthehemi normales”.
“Nuk jemi duke e hapur shtetin duke u bazuar në shkencë”, ka thënë Dr thomas R Frieden, ish drejtori i Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve. “Rihapja e shtetit po bazohet në politika, ideologji dhe presion publik. Dhe sipas meje kjo nuk do të përfundojë mirë”, ka shtuar ai për The New York Times.
Deri tash në SHBA kanë vdekur 80 mijë njerëz si pasojë e koronavirusit, ndërsa janë infektuar 1.3 milionë banorë.