Fjalë Kyçe

Neymar te Real Madridi?

Neymar te Real Madridi?

Eden Hazard tashmë mund të themi që duke nisur nga sezoni i ardhshëm do jetë lojtar i Real Madridit.

Po Neymar? Emri i brazilianit vazhdon të përmendet në Bernabeu pavarësisht se është një ëndërr e pamundur – të paktën deri kur lojtari të hedhë hapin e parë.

Sezoni akoma nuk ka mbaruar dhe objektivat e Real Madridit në merkato duken të qartë: Luka Jovic për fazën sulmuese, Eden Hazard për lojën në krahë, Paul Pogba dhe Christian Eriksen për qendrën e mesfushës.

Por pavarësisht kësaj, emri i Neymar vazhdon të kumbojë në veshët e drejtuesve madrilenë. Ai është lojtari me ‘atraksionin’ më të lartë mediatik lidhur me këtë çështje dhe Florentino e di këtë gjë. Ashtu siç di faktin që PSG nuk dëshiron ta lërë të lirë lojtarin pasi nuk ka në plan ta shesë – Neymar është një ëndërr, momentalisht e parealizueshme, por çdo gjë mund të ndryshojë, gjithçka varet nga vetë lojtari.

Pak javë më parë ishte në Madrid Wagner Ribeiro, përfaqësuesi zyrtar i Neymar, i njëjti përfaqësues që dëshironte ta sillnte në Madrid lojtarin brazilian që në sezonin 2013/2014, por në fund arriti marrëveshje me Barcelonën. Ribeiro është një pjesë shumë e rëndësishme e ‘klanit Neymar’ dhe ka relata shumë të mira me Florentinon.

“Neymar po noton në ar tek PSG”, deklaroi për të përditshmen spanjolle AS një nga përfaqësuesit e Neymar. “Ai është mirë në Paris, është një qytet i madh dhe lojtari është i lumtur me bashkëlojtarët. Transferimi i tij në Madrid nuk mund të realizohet deri në momentin që Neymar të hedhë hapin e parë dhe t’i thotë presidentit të Parisit që dëshiron të largohet.”

Momentalisht Neymar ka kontratë me PSG deri në 2022. Reali e ka të qartë situatën me lojtarin brazilian, po ashtu edhe njerëzit që e rrethojnë Neymarin. Duhet që lojtari të marrë fjalën dhe gjithçka merr fund, ndodh ajo që mund të duket si e pamundur.