Fjalë Kyçe

Nga 5G-ja te heqja e kufijve, 14 marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë e Kosovës

Nga 5G-ja te heqja e kufijve, 14 marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë e Kosovës

Dy qeveritë shqiptare të premten kanë nënshkruar 14 marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Avdullah Hoti, në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Po ashtu, dy kryeministrat nënshkruan memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të republikës së Shqipërisë dhe ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin në fushën e transportit hekurudhor.

Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj dhe ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën në Kosovë, Meliza Haradinaj Stublla nënshkruan marrëveshjen për vlerësimin e krijimit të fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Agim Veliu nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste fatkeqësish natyrore dhe fatkeqësive të tjera.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe homologu nga Kosova, Agim Veliu nënshkruan protokollin për ndryshim dhe shtesë në marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Anila Denaj dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Kosovës, Hykmete Bajrami nënshkruan protokollin ndryshues të marrëveshjes së bashkëpunimit për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal.

Denaj po ashtu nënshkroi me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica marrëveshjen për bashkëpunim për mobilitetin në punë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në Kosovë, Blerim Kuçi nënshkruan memorandumin për bashkëpunim në krijimin e korridorit digjital 5G, dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen.

Në fushën e arsimit ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Evis Kushi dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Vlora Dumoshi nënshkruan memorandumin për bashkëpunim për themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit ndërmjet dy Federatave të Basketbollit.

Ministrja Evis Kushi së bashku me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj nënshkruan edhe memorandumin për bashkëpunim për platformën e përbashkët digjitale të arsimit parauniversitar.

Në fushën e kulturës, ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti dhe homologia Dumushi nënshkruan marrëveshjen për krijimin e kalendarit të përbashkët kulturor vjetor, si dhe marrëveshjen për bashkëprodhim të filmit.

Në fushën e shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj nënshkruan protokollin shtesë të marrëveshjes së bashkëpunimit në përballje me COVID-19.