Ligji i ri për masat kundër COVID-19, përfshirë shtrirjen e diskutueshme të pasaportës shëndetësore, do të hyjë në fuqi më 9 gusht në Francë, njoftoi zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal.
“Këshilli Kushtetues ka treguar se do të marrë vendimin e tij më 5 gusht, prandaj ligji do të shpallet menjëherë, me një hyrje në fuqi që ne e presim për më 9 gusht”, tha Attal.
“Në fillim, do të ketë një kohë përshtatjeje, tolerance, mësimdhënie, mbështetjeje për aktorët e interesuar nga detyrimi për të paraqitur një pasaportë shëndetësore”, përsëriti ai, duke iu referuar “periudhës së një jave kalimtare” të dhënë tek institucionet që tashmë i nënshtrohen asaj.
Pasaporta shëndetësore (testi negativ Covid, certifikata e vaksinimit ose certifikata e shërimit) është e detyrueshme në Francë, që nga 21 korriku, në vendet e kohës së lirë dhe kulturore (kinema, muze, etj.), ku mblidhen më shumë se 50 persona, raporton ATSh.
Një ligj i ri i miratuar nga parlamenti parashikon që ai të shtrihet për kafenetë, panairet dhe ekspozitat, avionët, trenat në distanca të gjata, si edhe në institucionet mjekësore.
Kjo pasaportë ka qenë subjekt i protestave kundërshtuese prej disa javësh. Një apel u paraqit me iniciativën e opozitës së majtë para Këshillit Kushtetues, me shpresën që kjo masë të censurohej, sepse konsiderohet si shkelje e lirive.
Qeveria paraqiti një apel identik, por përkundrazi për ta vërtetuar atë në përputhje me parimet themelore të ligjit.